Zidan mbrohet nga akuzat, por edhe gazetat e Madridit njollosin Realin e VAR-it!

A mund të thuhet se arbitrat janë me Madridin? Për këtë duhen prova, duhen përgjime të prokurorisë si në Itali, apo testi i makinës së të vërtetës për gjyqtarët, veçse në stadiumin “Anoeta”, padyshim që Reali u ndihmua për të fituar. Një sukses në fushën e Sociedadit që i dha skuadrës së trajnerit Zidan kryesimin e La Ligës, falë bilancit më të mirë në ndeshjet direkte ndaj Barcelonës.

Golin e parë Reali e shënoi me penallti të dhënë për rrëzim të Vinisiusit, e me të cilën Sergio Ramos shënoi golin e 68-të në La Liga, tashmë mbrojtësi me më shumë gola në histori. Në rezultatin 0-1, shqiptarit nga Kosova, që mban pasaportën belge, Adnan Januzaj, iu anulua një gol, për të cilin u protestua. Karim Benzema shënoi golin e dytë për Realin, ndërsa vendasit protestuan për prekje të topit me dorë. Pranë fundit, Mikel Merino u dha shpresë vendasve me golin për 1-2.

“Udhëheqës”, është titulli i madh i “Markës”, me të përditshme madrilene, që shkruan se “Madridi është i pari, Ramosi thyen rekordin e Kumanit. Polemika për penalltinë e Vinisiusit, golin e anuluar të Januzajt dhe golin e Benzemasë”

“Udhëheqës i ri, por edhe kaos i ri”, – përshkruan gazeta kryeqytetase, “AS”, – Madridi del në krye të renditjes, kur duhen edhe 8 javë deri në fund. Gjykim problematik i arbitrit që i anuloi gol të rregullt Sociedadit”.

“Mejd in Madrid, – proteston gazeta e Katalonjës, “El Mundo Deportivo”, – Reali del në krye pasi u ndihmua nga 3 vendime të diskutueshme të arbitrave. VAR-i e ka ndihmuar në 3 fitore që nga rinisja e La Ligës”.

“Liderë prej VAR-it, – shkruan “Sport” po e Katalonjës, – skandal në “Anoeta”. Madridi fiton me një penallti të dyshimtë të Vinisiusit, me një gol ndoshta të ndihmuar me dorë të Benzemasë, dhe me një gol të anuluar ndaj Sociedadit”.

“Nuk dua të flas për arbitrat, – tha trajneri madrilen, Zidan, – nuk e kam zakon, dhe nuk e kam bërë në të kaluarën. Mërzitem nga fakti se në fund flitet vetëm për arbitrat, a thua se ne nuk bëmë asgjë në fushën e lojës. Nuk mund të kontrolloj atë që ndodh, por mendoj se fituam në fushë dhe se e merituam”.

Nuk është i këtij mendimi trajneri i Barcelonës, Kike Setien, i cili sipas gazetës “AS” u shpreh se “të gjithë e panë se çfarë ndodhi dje”, duke nënkuptuar fitoren e Realit me ndihmën e arbitrave. Reali e Barcelona kanë nga 65 pikë, me katalanasit me golaverazh më të mirë, por ndeshje direkte më negative, ndërsa duhen edhe 8 javë deri në përfundim të La Ligës.

Sfidanti.al