Dikur, në verën e vitit 2004, tek Çelsi u investua “rëndshëm” nga pronari Roman Abramoviç, por dy blerjet më të rëndësishme nuk u quajtën Drogba apo Karvaljo, veçse Zhoze Murinjo në stol dhe Piter Kenion si shef ekzekutiv. Tek Interit sot, blerjet më të mëdha quhen pikërisht Antonio Konte në stol dhe Bepe Marota si drejtor sportiv. Konte u dha një leksion lojtarëve të tij pas fitores së vuajtur ndaj Sampdorias, 2-1 në Serinë A.
“Ne duam të luftojmë deri në fund, – theksoi Konte kur gjithçka përfundoi, – duam që të mos u ndahemi rivalëve për titull, dhe të luftojmë gjithnjë për objektiva të mëdhenj. Duhet të japim maksimumin, që të mos kemi asgjë të mbetur peng në mbyllje të sezonit. Nuk duhet të harrojmë se çfarë na ndodhi në Napoli, ku duhej të fitonim, por u eleminuam. Edhe ndaj Sampdorias, duhej të ishim 4-0, por në fund rrezikuam fitoren. Nuk na lejohet më asnjë gabim, çdo ndeshje është si një finale”.
Krejt normale për një njeri që ka fituar 5 tituj kampion e një Champions si lojtar me 13 trofe gjithsej, si dhe që është shpallur 4 herë kampion si trajner në Itali e Angli. Interi, gjithsesi, fitoi dhe ka 57 pikë ndaj 63 të Juventusit e 62 të Lacios, që cilësohen si pretendentët kryesorë për “skudeton”.
Sfidanti.al