Edhe Carlo Ancelotti bie në rrjetën e evazionit fiskal në Spanjë. Sipas mediave në vendin iberik, trajneri I Evertonin është vënë nën hetim pas një denoncimi të bërë nga Prokuroria e Madridit sipas së cilës, Carlo Ancelotti ka bërë evazion fiskal për një shifër pak më të lartë se 1 milion Euro për vitet 2014-2015 kur drejtonte Realin e Madridit.
Akuza ndaj Ancelottit ka të bëjë kryesisht me të drejtat e imazhit të tij, por edhe pjesërisht me përfitimet e tij si trajner. Sipas autoriteteve, Ancelotti ka përdorur një rrjet kompleks kompanish me seli në vendet e ashtuquajtura parajsa fiskale për të fshehur disa deklarata të ardhurash kundrejt Agjencisë Spanjolle të të Ardhurave.
Trajneri nga Emilia Romagna është emri i fundit që i shtohet listës së gjatë të emrave të njohur të futbollit botëror që ranë në rrjetin e evazionit fiskal me në krye Cristiano Ronaldon dhe Lionel Messi, ndërkohë që në të figurojnë edhe emra të tillë si José Mourinho, Radamel Falcao, Alexis Sanchez, Diego Costa, Javier Mascherano, Marcelo, Angel Di Maria, James Rodriguez, Mesut Ozil dhe shumë të tjerë. Padyshim shumica e këtyre rasteve janë zgjidhur me vendosjen e një pakti mes palëve dhe pagimin e një kuote të shumës së detyrimit nga ana e të akuzuarve.
Sfidanti.al