Zaneti ende ka dyshime për titullin, por është i sigurt për Mesin

Fjalët e para janë lavdërime, dhe që të gjitha të merituara. Zv. presidenti i Interit, Havier Zaneti, nuk ngurron të mbulojë me dafina trajnerin Antonio Konte dhe futbollistët, e të thotë se ata po bëjnë diçka të madhe. “Konte dhe skuadra po bëjnë një punë të madhe, – theksoi argjentinasi, – fakti që kryesojnë Serinë A flet vetë për atë që po bëjnë”. Gjithsesi, ish-mbrojtësi i krahut flet edhe si drejtues pasi shton se “kampionati është ende i gjatë, dhe nuk kemi ende asgjë të sigurt, do të jetë e vështirë, pra duhet të vazhdojmë kështu”.

Nuk mund të mungonte një krahasim mes dy Interëve, atij të vitit 2010 që fitoi tripletën dhe këtij të sotmit. “Nuk mund të bëjmë krahasime, – tha Zaneti, – nuk mund të bëhen. Atëherë realizuam një sezon të madh sepse fituam gjithçka, por edhe Interi i sotëm po bën një sezon të shkëlqyer. Nuk dua të bëj krahasim”. Ish-kapiteni i madh nuk dëshiron të merret me eleminimin e Juventusit nga Championsi, dhe thotë se “le të merremi me punët tona, përqëndrimi është tek Torino”. Për Mesin është i sigurt se nuk do të largohet nga Barcelona, ndërsa për Ronaldon thotë se kur vijnë lojtarë të mëdhenj, ngrihet niveli i Serisë A.

Sfidanti.al