Vjen vërshëllima e fundit edhe për legjendën Françesko Toti

Sot është 40 vjeç, por jo më duke vrapuar, por duke u ndalur. Karriera si futbollist e më te veçantit të Serisë A në 20 vitet e fundit do të marrë fund këtë verë. Françesko Toti do të heqë këpucët me thumba dhe do të veshë kostumin e drejtuesit për të ngjitur shkallët, nga fusha e lojës, në tribunën VIP të stadiumit “Olimpiko” të Romës. Duhej një njeri me autoritet të madh që ta merrte këtë vendim, dhe ky njeri u gjet.

Ramon Rodrigez Verdeho, i njohur botërisht si Monçi është bërë drejtori i ri sportiv i Romës dhe është pikërisht ai që vuri pikat mbi “i”. Monçi ka autoritet të madh pas punës së shkëlqyer të bërë tek Sevilja, ku së bashku me trajnerin Unai Emeri krijuan një skuadër të mrekullueshme që fitoi Ligën e Europës dy sezonet e kaluara. Në një klub ku Toti ka qenë gjithçka, deri edhe thuajse president, duhej një Monçi që ai të mos mbetej ende një barrë për trajnerin dhe për lojtarët më të rinj.

Monçi ka deklaruar se ky do të jetë sezoni i fundit i Totit, ndërsa ka shtuar se do t’i pëlqente të punonte me trajnerin Luçiano Spaleti, i cili nuk shihet me sy të mirë nga një pjesë e tifozëve. Toti e nisi karrierën në 1992, gjithnjë me Romën duke luajtur 20 sezone në Serinë A. Ai doli kampion në 2001, fitoi dy herë Kupën e Italisë, ndërsa shënoi 306 gola në 782 ndeshje, bilanc që mund të përmirësohet ndoshta edhe pak. Me Italinë u shpall kampion i botës në 2006, suksesi më i madh i tij në karrierë.

Sfidanti.altoti2toti3