Mallkimi vazhdon, por jo i plotë. Arsen Venger as këtë herë nuk doli dot fitues ndaj Zhoze Murinjos, veçse ka arsye të mos ndihet shumë i dëshpëruar. Arsenali mori një pikë në përballjen e madhe të Premier Ligës në fushën e Mançester Junajtidit, një barazim jo edhe aq i merituar, dhe arritur falë një sulmuesi si Olivie Zhiru.
Francezi ndihmoi trajnerin dhe patriotin e tij të mos turpërohej dhe të mos ndihej keq nga talljet e pritshme të Murinjos, duke barazpeshuar sfidën në “Old Traford” në minutën e fundit. Gjuajtja e tij e përsosur me kohë zhvleftësoi deri diku golin e bukur të Huan Matës për vendasit.
Pragndeshja ishte me shumë emocione dhe pritshmëri, ndërsa 90 minutat në “Teatrin e Ëndrrave” nuk ishin edhe aq për të ëndërruar. Pati momente kur fare mirë mund të flihej. Murinjo e kishte sulmuar sërish Vengerin përpara ndeshjes (titullin e ka fituar 18 vjet më parë), por francezi nuk e shtyu këtë herë, ndërsa nuk mungoi shtrëngimi i duarve, madje as në përfundim të ndeshjes.