Tuheli si Gjokoviçi: Nuk i detyroj lojtarët e mi që të vaksinohen!

Momenti i tij është i vështirë, sepse rrezikon që i gjithë sezoni të dështojë. Pavarësisht investimeve të mëdha, Çelsi është shumë larg kreut në Premier Ligë, ndërsa mund të ketë probleme në Champions qoftë edhe në ndeshjet e raundit të dytë ndaj Lilës. Disa nga lojtarët e ekipit nuk janë të vaksinuar, dhe sipas rregullave në fuqi në Francë, nuk do të munden të hyjnë në një stadium futbolli për të luajtur. Trajneri Tomas Tuhel është shumë i shqetësuar, por gjithsesi thekson se nuk ka ndërmend të detyrojë futbollistët që të vaksinohen kundër dëshirës. “Për ne, si ekip, mund të ketë pasoja të mëdha nëse lojtarët nuk lejohen të udhëtojnë në Francë, – tha gjermani, – ne mund të humbasim lojtarë tepër të rëndësishëm, por e dimë mirë se çfarë na pret. Unë do t’u them lojtarëve të bëjnë kujdes, do të ketë këshilla, por gjithsesi ata janë qytetarë të lirë”. Tuheli ngjan me Novak Gjokoviçin, të paktën në atë që nuk dëshiron të detyrojë të tjerët që të vaksinohen kundër dëshirës.

Sfidanti.al