Në “Old Traford” e quajnë “koha e Fergit”, dhe pikërisht e kanë fjalën kur Mançester Junajtidi shënon në fund fare, siç bënte dikur skuadra e lavdishme e Fergusonit. Ndoshta ajo kohë po kthehet, edhe pse duhet të mos fluturojmë shumë. Markush Rashfordi shënoi në minutën e 93-të duke i dhënë “djajve të kuq” një fitore të madhe në garën për zonën Champions, vetëm 1-0 ndaj Uest Hemit, që është një rival direkt. Rashfordi shënoi në një aksion të nisur nga Marsial dhe pasimit në zonë të Edinson Kavanit.
Nëse sulmuesi i ri i Anglisë la pas krizën, të paktën për momentin, Kristiano Ronaldo doli edhe një herë nga fusha i mërzitur për atë që arriti. Nuk shënoi dot gol, dhe ka mbetur “thatë” që nga 12 dhjetori, pra më shumë se një muaj, diçka jo e shpeshtë për të. Suksesi i vetëm ishte që trajneri Rangnik nuk e zëvendësoi si ndaj Brentfordit. Gjithsesi, ai ishte i pafat sepse në 35’ duhej ta kishte fituar një penallti pas ndërhyrjes së mbrojtësit Zuma. Gjyqtari dhe VAR-i nuk sinjalizuan! Një mëkat sepse Ronaldo do ta kishte ekzekutuar vetë penalltinë. “Një tjetër mbrëmje kur Ronaldo nuk arriti të bëjë atë që pritej prej tij”, – shkruajti BBC. Mançester Junajtidi është për herë të parë këtë sezon në zonën Champions, në vend të 4-ët me 38 pikë, veçse i ka në 22 ndeshje, me Totenhemin që ka 36 pikë në vetëm 19 ndeshje dhe Arsenalin me 35 në 20 ndeshje.
Sfidanti.al