Trajneri i Hungarisë: Në Itali më kërkuan para që të më punësonin

Quhet Marko Rosi, nuk ka ndonjë karrierë të jashtëzakonshme, por ka fituar gjithë respektin e mundshëm në Hungari. Italiani 56-vjeçar, fitues Kupe të Italisë e të Superkupës me Sampdorian si lojtar, udhëhoqi me sukses kombëtaren hungareze në Euro 2020, dhe u kthye në Budapest si hero bashkë me djemtë e tij. Dakord, në Euro 2016 u arrit në turin e dytë, këtë herë jo, veçse ishte në një “grup vdekjeje” me Francën kampione të botës, Gjermaninë e madhe dhe Portugalinë kampione të Europës. Me portugezët u mbajtën në 0-0 deri në 85’, me Francën morën barazimin 1-1 dhe me gjermanët dolën 2-2, duke qenë të kualifikuar deri në minutën e 84-ët.

“Jam krenar për Hungarinë time, – tha Rosi më pas, – bëmë krenar kombin tonë dhe bëmë detyrën. Nuk kishin besim tek ne, por treguam se mund të luajmë ndaj më të fortëve”. Natyrisht, Hungaria e sotme është ende larg asaj Hungarie të famshme të viteve 50-të, por përmirësimi është i ndjeshëm. Rosi tregon një fakt nga karriera në Itali, ku nuk arriti të drejtonte skuadra të rëndësishme. “Nëse do të mbetesha në Itali, do të dilja nga profesioni, – thotë ai, – pata propozime vetëm në Serinë C, por më kërkuan që të paguaja para që të punoja”. Tani, mund ta ketë më të lehtë për t’u kthyer në Apenine.

Sfidanti.al