Tradhëti galaktike, Marselo dhe Ramosi nuk e duan Iskon te Reali

Qëkur “shkopin e dirigjentit” te Reali i Madridit e mori Santiago Solari, Iskon sikur e kanë lidhur mbas stolit të rezervave, ndërkohë që duket qartë se një gjë e tillë atij nuk i pëlqen aspak. Ai edhe më parë, në fakt, nuk ka qenë lojtar standard në formacionin e parë, por tani duket atij i ka ardhur në majë të hundës.
Gazeta madridase “AS” shkruan se Isko nuk ka qënë kurrë më parë kaq afër derës së daljes së “Santiago Bernabeut” dhe midis arsyesve përmenden edhe marrëdhëniet e këqia që ka ky futbollist i ri me dy “primadonat” e Realit, Serhio Ramos dhe Marselo. Isko, në fakt, ka marrëdhëniet të mira me të gjithë lojtarët e tjerë, por jo me dy kapitenët, ndërkohë që fjala e tyre peshon shumë në klubin “mbretëror”. Marselo e kritikoi publikisht Iskon, mbas humbjes poshtëruese 0-3 ndaj CSKA-s së Moskës, sepse ai kundërshtoi të merrte shiritin e kapitenit. Kurse Ramosin Isko e kritikoi në një rast në prani të trajnerit Santiago Solari, kështu që kapiteni veteran i Realit nuk ia harron kollaj këtë kritikë kolegut të tij të ri.
Në 11 ndeshje, pra në 990 minuta Isko ka luajtur vetëm 292 minuta.
Sidoqoftë, nëse Isko vendos përfundimisht që të ikë nga Reali, ai nuk do ta ketë të vështirë që të gjejë një klub tjetër të madh, pasi për të që tani interesohen Çelsi dhe Mançester Siti.
Sfidanti.al