Kjo javë që kaloi në Superligë nuk do të futet në thesin e harresës, sepse meriton një vend në muzeun e kampionatit, madje në pavionin e sekreteve. Edhe pse bursa e lojës këmbëhej me pak vlerë besimi, disa ngjarje që ndodhën në fusha të ndryshme, e bënë kaq të veçantë, sa njëra prej tyre na pickoi kujtesën për një anektodë të harruar. Vite më parë, në një ndeshje të fortë të kategorive inferiore, trajneri i ngarkon sulmuesit të tij një mision delikat : “ Kam menduar gjithë natën për këtë moment. Ti do të luash sot sulmues i fshehur dhe askush nuk duhet ta marrë vesh!” Sulmuesi , i habitur por edhe i frikësuar nga roli sekret, e pyet trajnerin : “Po sikur të na diktojnë ?” Trajneri i fërkon kokën dhe e qetëson : “ Mos u frikëso, po na diktuan, kam gati edhe një plan tjetër..”
Ju do të pyesni : po cila nga ngjarjet e kampionatit lidhet me këtë anektodë ? Ajo që ndodhi në Korçë, në ndeshjen Skënderbeu- Lufëtari, e cila u përmbys kokëposhtë edhe për meritë të arbitrit Llapra, sepse na u shfaq sikur ishte shpirti binjak i anektodës me misionarët e fshehtë. Sikur arbitrit të ri në emër, me supe të brishta për një ndeshje të tillë ,”trajneri” arbitrave t’i kishte dhënë këtë porosi : “ Jep dot penallti kundër Skënderbeut në pjesën e dytë? Prit, prit, mos tund kokën ..se ke dhe një detyre tjetër. Po sikur, për dreq, të ketë edhe penallti për Skënderbeun, a bëhesh dot trim të mos e japësh ?” Ajo që ndodhi në fushë , vërtetoi edhe njëherë se sistemi është “bamirës” me arbirtat e rinj, sidomos kur fjala e dhënë shoqërohet me vepra. Vepra të atilla që përmirësojnë edhe humorin e shefave, siç ndodhi në ditën e krijimit të Ligës Profesioniste, kur presidenti i presidentëve, zoti Duka, lëshoi batutën qokë për Tavon e Luftëtarit “ O Gole, ti fiton ndeshjen pa para, kurse Tirana hedh para dhe humbet”. Të gjithë presidentët qeshën kur e dëgjuan, ngaqë janë mësuar me batutat dhe mesazhet që lëshon “mbreti” krenar i futbollit..lakuriq!
Gezim Sinemati