Totenhemi në finale, Championsi më i çmendur në histori!

Drama e 180 minutave mes Liverpulit dhe Barcelonës, u përmblodh në vetëm një ndeshje, në duelin tjetër gjysmëfinal. Ky edicion i Championsit mund të quhet pa mëdyshje më i çmenduri i historisë, pasi Totenhemi realizoi përmbysjen e dytë të madhe, atë në fushën e Ajaksit, dhe fitoi të drejtën të luajë në finalen krejtësisht angleze të Madridit.

Holandezët, që kishin fituar 1-0 në Londër, udhëhoqën 2-0 pas pjesës së parë, por as kjo nuk ua siguroi suksesin. Spërsat e trajnerit Maurisio Poçetino besuan deri në fund, edhe pse nuk e patën sërish yllin kryesor, Harri Kejn, dhe triumfuan 3-2, duke kaluar turin falë golit në fushë kundërshtare. Zëvendësuesi (nga e keqja) e Kejnit, Luka Moura, ishte autor i të tre rrjetave, në minutat 55, 59 e 96.

Ishte sërish forca e karakterit që bëri diferencën, por edhe përvoja, pjekuria e moshës, dhe standardet që vetë klubi ka vendosur gjithë këta vjet. Me të vërtetë, po luanin burra ndaj djemve, dhe burrat nuk mund të dorëzohen kaq lehtë. Kjo shpjegon ndryshimin e madh mes dy pjesëve, pasi Ajaksi luajti shumë mirë në 45 minutat e para, dhe Totenhemi reagoi në mënyrë madhështore pas pushimit.

Anglezët mbajtën topin 66 për qind në ato 45 minuta, realizuan 11 gjuajtje drejt portës, dhe shënuan tri gola. Tashmë, finalja do të jetë në 1 qershor në stadiumin e Atletikos, “Uanda Metropolitano” të Madridit, mes dy ekipeve angleze, Liverpulit dhe Totenhemit. Finalja e 9-të në Champions për të kuqtë, e para për londinezët.

Sfidanti.al