Poçetino u përmendi Liverpulin lojtarëve të tij para ndeshjes

Tensioni ishte i madh në hotel, ndërsa afrohej ora e ndeshjes, dhe i takonte një njeriu që të qetësonte skuadrën. Kujt tjetër përveçse trajnerit Maurisio Poçetino, i cili i mblodhi lojtarët para nisjes për në stadium për t’u thënë fjalët e fundit. “Çuna, nuk e kam problem që të humbisni, por dua që të humbisni duke luftuar, – tha argjentinasi, – e patë Liverpulin mbrëmë? E kuptuat se në futboll asnjëherë nuk ka përfunduar. Luftoni, pra, deri në fund”.

Këto fjalë, ndoshta, nuk e patën që në fillim efektin, aq e fortë ishte “droga” e presionit në ndeshjen më të rëndësishme të historisë së klubit në gati 60 vitet e fundit. Poçetino ua përsëriti sërish në pushim, dhe tashmë, me “dozë të dyfishuar”, skuadra reagoi. Me mungesa të rëndësishme, me dëmtime lojtarësh që ishin në fushë, pa Harri Kejnin dhe me Lukas Mourën, Spërsat ia dolën.

“Faleminderit futboll, – ishte fjalia e parë që doli nga goja e trajnerit të londinezëve buzë fushës së Arenës “Johan Krujf”, – e kam të vështirë të flas, emocionet nuk po më lejojnë. Lojtarët e mi janë heronj, ndërsa Lukas Moura është superhero. Këtë e kam thënë që vjet. Është shumë e vështirë të konkurrosh në këtë nivel, dhe është fat i madh për mua që jam trajner i kësaj skuadre”.

Në intervistën para ndeshjes, Poçetino i kujtoi gjithkujt rrugën e gjatë që ishte i detyruar të bënte ai dhe lojtarët e tij. “Pesë vjet më parë, ne duhej të ngushtonim diferencën me 4 ekipet e para, – theksoi ai, – duhej të kualifikoheshim për në Champions. Tani, prej nesh kërkohet të arrihet patjetër finalja, të fitohet Championsi. Ne do të përpiqemi deri në fund, por çdo gjë ka logjikën e saj. Ne jemi rritur shumë në pesë vjet”.

Shumëkush u tall me Spërsat, dhe i qanë hallin Poçetinos. i kujtuan se ai po drejton një skuadër që nuk ka fituar trofe, dhe nuk di sesi t’i fitojë ata. Deri edhe Pep Guardiola u nxitua një herë dhe e quajti Totenhemin si “ekipi i Harri Kejnit”. Sot që të gjithë dolën të gabuar, në bindjen e tyre se bota nuk mund të ndryshojë dhe nuk mund të bëhet më e mirë. Vetë jeta, me dialektikën e saj, e hodhi poshtë metafizikën e tyre prej Mesjete. Po, Poçetino dhe lojtarët e tij e ndryshuan historinë. Gjithnjë ka një herë të parë, dhe Totenhemi për herë të parë doli në finalen e Championsit.

Sfidanti.al