Nuk ka përfunduar asgjë dhe në stadiumin “Etihad” gjithçka mund të përmbyset. Gjithsesi, nëse pas ndeshjeve të para çerekfinale në Champions duhet nxjerrë ndonjë përfundim, ai do të ishte që Liga e Kampionëve mbetet një mirazh për Mançester Sitin. i cilësuar si favorit absolut, jo vetëm për kualifikim, por edhe për fitore në Londër, ekipi i Guardiolës u mund me meritë të plotë nga Totenhemi, me një nga rezultatet më të vështirë, 0-1.
Koreanojugori Son, ai që shënoi golin e parë në stadiumin e ri, realizoi edhe të dytin, duke vendosur ndeshjen në minutën e 78-të. Një moment vendimtar ishte edhe ai i pritjes së penalltisë së Agueros nga Hugo Joris, që nuk lejoi epërsinë e Sitit që në minutën e 13-të. Totenhemi përballoi edhe dëmtimin e lojtarit kryesor, sulmuesit dhe zv. kapitenit Harri Kejn, që doli nga loja me probleme në kavilje, që në minutën e 58-të.
Do të ketë edhe ndeshje kthimi dhe besohet se skuadra e Guardiolës do të mbetet sërish favorite, por nuk duhet harruar sesa të vështirë e ka pasur gjithnjë në Champions, dhe se sa herë është ndeshur me rivalë anglezë në Europë, ka dalë e eleminuar. Këtë herë, trajneri i shquar katalanas nuk mendoi për spektaklin, por për të mos humbur, diçka që nuk e arriti. Ai mbajti në stol disa lojtarë si De Brujn, Sane e Gabriel Zhezus, për një rotacion të detyruar, meqë Siti lufton për 4 trofe.
E marta ishte mbrëmja edhe e Liverpulit. Nuk është se e pati shumë të thjeshtë ndaj Portos, edhe pse luajti në “Anfild”, por mori një rezultat shumë të mirë, fitore 2-0, pra duke shënuar dy herë e duke mos pësuar asnjë gol. Nabi Keita në 5’ dhe Roberto Firmino në 26’ ishin autorët e rrjetave, me skuadrën e trajnerit Jurgen Klop që pati epërsi në mbajtjen e topit dhe në pasime, por që nuk mundi ta dominonte lojën ashtu siç deshi.
Të martën: Totenhem-Mançester Siti 1-0 (Son 78’), Liverpul-Porto 2-0 (Keita 5’, Firmino 26’). Të mërkurën, 21:00: Ajaks-Juventus, Mançester Junajtid-Barcelona.
Sfidanti.al