Nuk arriti ta mundte kundërshtarin brenda qytetit, por gjithsesi, ia doli t’i merrte një pikë. Aspak gjë e vogël, sidomos kur luan në fushën e kampioëve, dhe kur je me një lojtar më pak (si dhe me trajnerin më pak). Torino arriti barazim 1-1 në stadiumin e Juventusit, në një nga ndeshjet e para të Serisë A për këtë fundjavë. Skuadra “granata” bëri që Juvja ta shtyjë festën e “skudetos”, ndërsa tani i duhen edhe 3 pikë për të fituar titullin e gjashtë radhazi.
Torino po ashtu bëri që seria e fitoreve radhazi të Juves në fushën e vet të ndalet në 33. Vetë ekipi i trajnerit Sinisha Mihajloviç është në mesin e tabelës, as nuk shkon në Europë dhe as nuk rrezikon gjë, por ndeshje të tilla luhen vetëm për sedër dhe për tifozët. Adem Ljajiç kaloi miqtë në epërsi në nisje të pjesës së dytë me një goditje dënimi të shkëlqyer. Në minutën e 57-të, Toro mbeti me 10 lojtarë pasi Akuah u përjashtua me karton të kuq. Duhej të vinte minuta e 92-të që Gonzalo Higuain të barazonte.
Trajneri i Juventusit, Masimiliano Alegri, u shpreh i kënaqur me rezultatin. “Një pikë na vlen, – tha ai, – na duhen vetëm 3 pikë për t’u shpallur kampion, pra jemi shumë afër. Dua t’i përgëzoj të dyja skuadrat, sidomos Juventusin që krijoi shumë, por u nxitua para portës”. Gjithsesi, Alegri nuk u mor shumë me kampionatin, sepse “të martën kemi ndeshjen vendimtare në Champions me Monakon, dhe ende nuk jemi kualifikuar, por për fat të mirë Dibala nuk pati dëmtim”.
Sfidanti.al