Tifozët: Zot, qaj për Harrin, Anglinë dhe Shën Gjergjin!

Një nga himnet e tifozëve anglezë thotë “qaj o zot për Harrin, Anglinë dhe Shën Gjergjin”. Është pak a shumë sikur të ishte himni “Zot, ruaj mbretëreshën” apo sikur të jetë himni i “tre luanëve”. Ky kushtim është për Harri Kejnin, kapitenin dhe sulmuesin më të mirë të ekipit, i cili po udhëheq kombëtaren në Euro 2020, dhe është shpresa më e madhe për të kthyer futbollin në shtëpi.

Me 38 gola në 60 ndeshje ai është në pozicion të mirë që të jetë rekordmen i Anglisë për rrjetat. Për momentin, ai është në vendin e 6-të në këtë renditje, duke qenë 4 gola larg Majkëll Ouenit, ndërsa më lart është ylli i Totenhemit, Xhimi Grivs, kurse rekordmeni është Uejn Runi me 53 gola. Synimi i Kejnit është të kalojë emrat e mëdhenj si Runi, Bobi Çarlton dhe Geri Lineker. Për momentin, ai ka mesatare shënimi më të mirë sesa dy të parët, duke qenë në 0.66 gola për ndeshje, dhe vetëm Lineker krahasohet me të me 0.6.

Për Kejnin këndojnë edhe tifozët e Totenhemit, pasi vazhdojnë ta kenë në ekip. Ai ka 221 gola për Totenhemin në 336 ndeshje, nga të cilët 38 gola në 63 ndeshje në kupat e Europës. Ai është 45 gola prapa rekordmenit të Spërsave, Grivsit, ndërsa ka lënë pas legjendën tjetër, Bobi Smith që ka 208.

Sfidanti.al