Emri i Pol Pogbas ka disa kohë që po lidhet me Realin e Madridit, trajneri i të cilit, Zidane, ka një dëshirë të madhe që ta sjellë atë në “Santiago Bernabe” dhe statistikat tregojnë se presidenti Florentino Perez duhet të bëjë gjithçka që të sigurojë shërbimet e këtij mesfushori francez.
Shumëkush që e njeh futbollin, thotë se Pogba do ta gjente veten mirë në mesfushën e Realit, ndërkohë që Modriçi dhe Krosi e gjejnë veten me vështirësi në sulm. Po t’u hedhësh një sy statistikave të Pogbas, konkludon se ato janë më të mira sesa të Modriçit, Krosit dhe Kasemiros, të marra së bashku!
Pogba ka luajtur sezonin e kaluar në 47 ndeshje me Mançester Junajtidin, duke shënuar 16 gola dhe duke dhënë 17 asistenca goli. Në dallim nga ai, Modriçi ka zhvilluar 46 ndeshje, në të cilat ka shënuar katër gola dhe ka dhënë tetë asistenca goli. Kasemiro ka luajtur në 43 ndeshje, ka shënuar katër gola dhe asnjë asistencë goli, kurse Krosi ka shënuar gjithsej një gol dhe ka dhënë gjashtë asistenca. Nëse i mbledhim shifrat e mësipërme, nxjerrim një përfundim mjaft interesant: treshja e lartpërmendur e Realit ka shënuar gjithsej nëntë gola dhe ka dhënë 14 asistenca goli, pra shtatë gola dhe tre asistenca goli më pak sesa statistika e përgjithshme e Pogbas!
Po ashtu, duhet të kini parasysh, se gjatë sezonit të kaluar mesfushori francez ka gjuajtur në drejtim të portës kundërshtare 60 topa kundrejt gjithsej 45 topave që ka gjuajtur treshja e mësipërme e mesfushorëve të Realit.
Sfidanti.al