Spanja nuk është favorite, por besimi tek Luis Enrike është pakufi!

Nuk janë mësuar me rolin e sfidantit, dhe nuk mund të jetë ndryshe për një ekip që në 2008 e 2012 u shpall kampion i Europës, ndërsa në 2010 doli kampion i botës. Ajo skuadër nuk vjen më, thotë ish-kapiteni Sergio Ramos, ndërsa sonte është prova ndaj Italisë, në gjysmëfinale të Europianit në stadiumin “Uembli” të Londrës.

Tek Spanja, Sarabia nuk u stërvit me shokët, mbetet në dyshim për sulmin. Në mbrojtje, Laporte rikuperon dhe pritet titullar. Trajneri Luis Enrike, ndoshta pika më e fortë e “Furive të kuqe”, ka besim se ekipi i tij do të tregojë veten pikërisht përpara pengesës më të vështirë. E përditshmja “Marka” e hap kopertinën me foton e sulmuesit Dani Olmo që thotë se “duhet të jemi në lartësinë e “Uemblit”! “Furitë e kuqe” udhëtojnë në Londër për gjysmëfinalen me Italinë! Gazeta “AS” komenton intervistën e dhënë nga Sergi Buskets, i cili thotë se tifozët spanjollë duhet të jenë krenarë për ekipin e tyre kombëtar!

Mesfushoi i Barcelonës thekson se pika më e fortë e Spanjës është trajneri Luis Enrike, ndërsa gjykon se Italia do të kërkojë topin, ndaj duhet që spanjollët ta kenë zotërimin për vete, si dhe të jenë të fortë në mbrojtje. Gjithsesi, parashikimet janë për Italinë si favorite për të kaluar në finale, dhe si pretendenten numër 2 për Europianin pas Anglisë, ndonëse Spanja padyshim që ka mendim tjetër.

Sfidanti.al