Rroga e tij është e jashtëzakonshme, më shumë se 20 milionë euro në sezon dhe është trajneri më i paguar në botë në futboll. Gjithsesi, Atletiko e Madridit e mban shtrënguar fort Diego Pablo Simeonen dhe palët duket se kanë rënë dakord për rinovim kontrate. Mediat spanjolle flasin se bisedimet kanë ecur mirë për të shtyrë akordin që tani vlen deri në 2022. Kontrata e re do të jetë në fuqi deri në 2024. Simeone është në stolin bardhekuq që nga viti 2011 dhe ka fituar dy tituj në La Liga, në 2014 dhe pikërisht tani në 2021, diçka që me Atletikon ndodh rrallë. Suksesi në fushë, përfshi dy finale të Championsit, fitoren e Ligës së Europës, dhe pjesëmarrjen e përhershme në Champions, kanë bërë që fuqia financiare e klubit të rritet. Simeone ka kërkuar fuqizimin e sulmit me Lautaro Martinezin, por Interi kërkon mbi 70 milionë euro dhe transferimi paraqitet i vështirë.
Sfidanti.al