Presidenti Florentino Perez është lumturuar po aq sa vetë sulmuesi i tij kur erdhi ftesa për në kombëtare. Pas shumë vitesh u harruan prapësitë e vjetra, dhe u hap një kapitull i ri, por numri 1 i Realit është i kënaqur sidomos sepse Karim Benzema në kombëtaren e Francës do të jetë pranë Kilian Mbapesë. Një “ambasador” i Realit, padyshim, Benzema do të përpiqet ta bindë edhe më shumë yllin 22-vjeçar që të kalojë në Madrid. E përditshmja “Marka” ka shkuar deri në Klerfonten, në grumbullimin francez, dhe e ka pyetur Benzemanë për Mbapenë. “Kiliani është i ri me talent të madh, është edhe një djalë i mirë, – tha sulmuesi veteran, – do të ishte i mirëpritur tek Reali. Cili klub do të dyshonte për ta marrë?” Gjithsesi, Benzema bën një shmangie në fund duke thënë se “sot për sot, objektivi ynë është që të fitojmë Europianin”.
Sfidanti.al