Si mundet Turqia ta habisë Europianin? Me 35-vjeçarin Burak Jilmaz!

Edhe në vendin e tij pyesin me habi: “Si ka mundësi që arrite në futbollin e madh vetëm në këtë moshë?” Me të vërtetë, Burak Jilmaz u bë pjesë e njërës prej 5 ligave të mëdha të Europës vetëm verën e kaluar kur Lila franceze i besoi sulmin, dhe nuk u gabua. Trajneri Kristof Galtie, me ndihmën e madhe të qendërsulmuesit turk fitoi titullin kampion duke “djegur në finish” Paris SG e madh! Jilmazi, më herët kishte pasur një karrierë më të thjeshtë, me Antaliasporin, Beshiktashin, Manisasporin, Fenerbahçen, Eskishehirsporin, Trabzonsporin, Gallatasarajin, Guoan të Pekinit, sërish Trabzonspor, Beshiktash dhe më në fund Lilë. Në Ligën e Parë të Francës këtë sezon shënoi 16 gola në 28 ndeshje dhe doli kampion. Ky lojtar 35-vjeçar mund të jetë “arma jo edhe aq sekrete” e trajnerit Shenol Gynesh në Europianin që fillon pas pak ditësh. Jilmaz ka luajtur 67 ndeshje e ka shënuar 29 gola deri tani për Turqinë

Sfidanti.al