Shqipëri mblidh veten, grupi i Botërorit me Anglinë është i hekurt!

Nuk janë vetëm shpikësit e futbollit, por edhe të tjerët, dhe shorti për kombëtaren në eleminatoret për Katar 2022 ishte i fortë. Nuk është se priteshin dhurata, pasi nëse del në “shesh të betejës” duhet të ndeshesh me këdo që të bie përballë, veçse Anglia, Polonia dhe Hungaria janë kundërshtarë të fortë. Me Andorrën e San Marinon mund të themi se kemi pasur fat për të ruajtur të paktën vazon e katërt nga ku doli gogla jonë, pra për të dalë në vend të katërt. Ishte fat që grupi ynë doli me 6 ekipe dhe jo me 5.

Anglia është një nga skuadrat më të vështira për futbollin shqiptar, siç e tregon bilanci me 4 ndeshje dhe 4 humbje, me golat 1-12. Besohet, çështje stili për shkak të lojës së fortë fizike që nuk është pika jonë kryesore. Polakët kanë disa emra shumë të mirë si Levandovski, Zielinski, Milik apo edhe ndonjë tjetër, ndonëse nuk është Polonia me të cilën u përballëm në eleminatoret e Kupës së Botës 1986, duke barazuar jashtë fushe 2-2. Hungaria po ashtu nuk është skuadër e jashtëzakonshme, por është kombëtarja e një vendi që ka investuar shumë për sportin dhe për futbollin prej dy dekadash, që kur nisi të implementohej Plani “Bozhik”. “Jemi grupi më i vështirë, – ishin fjalët e trajnerit Edi Reja, – po të kishim qenë me Kroacinë dhe Danimarkën mund të kishim më shumë shanse për kualifikim”. Çështje relative!

Nuk pati përballje me Kosovën, që u vendos në grupin B me Spanjën, Suedinë, Greqinë dhe Gjeorgjinë, si dhe as me Serbinë siç pati druajtje për shkak të asaj që ndodhi në 2014 në Beograd. Ndeshjet nisin në 24-25 mars 2021 dhe përfundojnë në 14-16 nëntor 2021, ndërsa raundi i dytë eleminator nëse ne do të jemi aty, do të jetë në 24-25 mars e 28-29 mars 2022.

Grupi I: Anglia, Polonia, Hungaria, Shqipëria, Andorra, San Marino.

Sfidanti.al