Sadiku lë Levanten, por jo Spanjën; disa klube në La Liga interesohen për shqiptarin!

Nje sezon i suksesshëm, por tepër i vështirë në çdo drejtim. Armando Sadiku nuk mund ta vazhdojë karrierën me Levanten, dhe kontrata e tij me klubin e La Ligës u ndërpre me mirëkuptim të dyanshëm. Kjo kontratë ishte e vlefshme deri në qershor të vitit të ardhshëm, por siç bëjnë me dijë mediat spanjolle, Levante nuk kishte mundësi financiare për ta mbajtur më tej sulmuesin e kombëtares shqiptare. Klubi vendosi të mbante vetëm disa nga lojtarët kryesorë, mes të cilëve edhe shqiptarin e Maqedonisë së Veriut, Enis Bardhin, ndërsa kriza e koronavirusit i ka goditur rëndë financat.

Sadiku, sipas të gjitha gjasave, do ta vazhdojë karrierën në Spanjë, pasi ka oferta nga disa klube të kategorisë së dytë, e nga disa të La Ligës, ndonëse deri tani nuk ka bisedime konkrete. Futbollisti 29-vjeçar luajti pak për Levanten, ndërsa më shumë ishte i huazuar tek Malaga në La Liga Segunda, ku shënoi 13 gola në 36 ndeshje, duke qenë këtë sezon, shënuesi më i mirë i ekipit. Sulmuesi erdhi në Spanjë në janar 2018, pasi luajti për Legian e Varshavës në Poloni.

Sadiku ka një karrierë të gjatë, të nisur në Shqipëri me Turbinën e Cërrikut, Gramozin e Ersekës dhe Elbasanin, por sidomos në Zvicër me Lokarnon, Luganon, Zyrihun e Vaducin. Ai ka luajtur 37 ndeshje për kombëtaren shqiptare, duke qenë shënuesi më i mirë aktiv, me 12 gola.

Sfidanti.al