U bënë tri ndeshje, dy në Ligën e Parë të Francës dhe një në Champions, por deri tani ka goditur vetëm shtyllën, e jo rrjetën. Lionel Mesi po provon sesa e vështirë është të përshtatesh në moshën 34-vjeçare në një ekip të ri, pasi ke luajtur gjithë jetën për Barcelonën, ndërsa në ekipin e tanishëm ka yje të tjerë si Nejmar e Kilian Mbape. Argjentinasi magjik nuk arriti të shënonte sërish golin e tij të parë për Paris SG, madje provoi një hidhërim dhe shtangie të vërtetë kur trajneri Poçetino e nxorri nga loja në minutën e 76-të. Nga fotografët dhe kameramanët u fiksua mirë momenti, dhe shprehja e qartë se pakënaqësisë nga Mesi, i cili instinktivisht duket se refuzoi t’i jepte dorën trajnerit. Gjithsesi, zëvendësimi doli fatlum për PSG-në pasi Mauro Ikardi, që hyri në fushë në vend të “Pleshtit” shënoi golin e fitores 2-1 ndaj Lionit në minutën e 4-ët shtesë. Ish-lojtari i Milanit, Lukas Paketa, i dha epërsinë Lionit duke mundur Donarumën, por Nejmar barazoi me 11-metërshin e fituar nga vetë ai. Mesi ishte më i miri lojtar në fushë në pjesën e parë, por Poçetino me siguri nuk deshi të rrezikonte që ta mbilodhte në një sezon të vështirë.
Sfidanti.al