Reali që nuk vdes kurrë, fiton edhe kur nuk e meriton!

E bënin shpesh vjet me Zinedin Zidanin, por e bëjnë edhe këtë sezon me Karlo Ançelotin. Për të dytën ndeshje radhazi, Reali doli nga fusha fitimtar, ndërsa luante jashtë fushe, edhe pse kishte qenë e pamerituar. Pas suksesit 1-0 në Champions në “San Siro” ndaj Interit, erdhi ai 2-1 në “Mestaja” ndaj Valencias në La Liga. Ekipi vendas meritoi shumë më tepër për atë që bëri në pjesën më të madhe të ndeshjes, por minutat e fundit ishin të madrilenëve. Ançeloti bëri zëvendësimet e tij, dhe në fushë Reali pati vetëm 2 mesfushorë si Isko e Kamavigna, ndërsa në sulm ishin Rodrigo, Joviç, Benzema e Vinisius. Një skemë 4-2-4, por krejtësisht e orientuar drejt sulmit dhe trimëria u shpërblye, bashkë me cilësinë më të lartë. Vinisius barazoi me fat (me devijim) dhe Benzema shënoi gjithashtu disi me fat, duke e goditur topin me shpatull dhe jo me kokë, dy minuta para fundit.

Reali kryeson La Ligën me 13 pikë ndaj 11 të Atletikos së Madridit. “Një triumf i madh ndaj një rivali të madh si Valencia”, – u shpreh ish-ylli i Realit, Horge Valdano. “Vinisius dhe Karimi janë flori i pastër”, – ishte komenti i gazetarit të “AS”-it, Tomas Ronsero. Reali: Kurtua, Alaba, Karvahal, Naço, Militao, Valverde (Isko 77’), Modriç (Kamavigna 66’), Kasemiro (Rodrigo 66’), Hazar (Joviç 77’), Benzema, Vinisius. Tr. Ançeloti

Sfidanti.al