Eshtë e çuditshme që ndodh vetëm kështu, pra ëdo fillim sezoni futbollistik të ketë një ngjashmëri të tillë, si fletët që dalin nga një aparat fotokopje. Minutat e para shoqërohen gjithmonë me një propagandë, që për më tepër ka po të njëjtët personazhë, ndërkohë që për këtë edicion e kishin edhe më të lehtë për të përgatitur esencën e thesit të mbushur me lëvdata koreanoveriore, për kampionatin perfekt dhe liderin e tij suprem. Tashmë në Shqipëri është instaluar sistemi VAR, gjë që po përdoret si një alibi entuziaste, për të na bindur se tashmë do të kemi një sezon të pandikuar nga xhaketat e zeza dhe përfundimi do të jetë më fair play, pasi fituesit dhe të ndëshkuarit nuk do të paracaktohen më nga lart.
“Atëherë kjo është maja e futbollit, si një libër i përkthyer e redaktuar aq mirë, saqë nuk ka më asnjë presje për t’i hequr apo shtuar”. Kjo na u tha pak a shumë që në minutat e para të kampionatit nga parashikuesit e përhershëm të mrekullive, ndërkohë që nuk komentohen më cilësitë e skuadrave, buxhetet asnjëherë transparente, apo nuk bën më përshtypje as fakti, që pothuajse të gjithë luajnë në Elbasan dhe stërviten te Redi Jupi. Ajo që duhet të ngulisim mirë në mendje është, se deri tani është thirrur tetë herë VAR-i dhe askush nuk ka më pse të qahet.
Dje në ndeshjen Tirana – Egnatia, për golin e Seferit arbitri Alla i la të gjithë të prisnin plotë 7 minuta të gjata, aq sa duhet për të gatuar një tenxhere me spageti, ndërsa pas ndërhyrjes së Krivanjevës ndaj Ngosë, nuk shpenzoi as edhe një sekondë të vetme. Pas ndeshjes, trajneri Shehi e miratoi vendimin e parë të Laver Allës dhe VAR-it që po na përmirëson jetën, por rastin e Ngosë e cilësoi fjalë për fjalë një “penallti sade”. Ndërsa komuniteti I entuziastëve iu drejtua me një një lloj zhgënjimi në formë arrogance, sikur të kishte bërë gabim të rëndë ideologjik… Dhe kështu që varja, se do të mësohemi edhe këtë vit me VAR-in e instaluar në stadiume dhe aparatin 15 vjeëar të fotokopjes, të instaluar në FSHF.