Mediat italiane, lavde për zikaltërit: “Inter Ekspres”!

Fitorja ishte e madhe, ndonëse ndeshja ishte pak e çuditshme. Interi vërtet fitoi 6-1 ndaj Bolonjës në “San Siro” për Serinë A, por pati gjithmonë fat në aksionet e tij, ndërsa kundërshtari u godit në çdo moment. Gjithsesi, suksesi ishte i mjaftueshëm për mediat italiane që ta ngrinin në qiell skuadrën zikaltër. “Inter Ekspres”, – titullon “La Gazeta delo Sport”, – treni i golit, 15 në 4 ndeshje! Shkundet Bolonja, Lautaro është lideri i vërtetë!” “Interi, një demonstrim force, – është vlerësimi i “Il Korriere delo Sportit”, – Inzagi shemb Bolonjën 6-1 dhe i dërgon një mesazh rivalëve”.

“Ishte shumë e rëndësishme që të fitonim, – tha tekniku Inzagi, – sepse e dinim rëndësinë e ndeshjes. Vinim nga një ndeshje e shkëlqyer ndaj Realit, ku nuk morëm atë që meritonim. Luajtëm me zemërimin dhe synimin që ajo gjë të mos përsëritej. Luajtëm ndaj një rivali që kishte dy fitore radhazi pa pësuar gol, prandaj u bëj komplimente të gjithëve”. Zikaltërit kanë 10 pikë në 4 ndeshje, dhe golaverazhin 15-4.

Sfidanti.al