Runi bashkohet me Shirerin në klubin “200 gola” në Premier Ligë!

Është ende larg ish-yllit të sulmit të Njukasëllit apo Blekbërnit, edhe pse do ta provojë deri në fund. Uejn Runi arriti në 200 gola në Premier Ligën angleze pas rrjetës që shënoi mbrëmë për Evertonin në fushën e Mançester Sitit, duke u bërë i dyti lojtar në historinë e kampionatit (që nga viti 1992, ama) që mbërrin këtë shifër. Ish-sulmuesi i Mançester Junajtid, që ishte mësuar të shënonte ndaj Sitit me fanelën e kuqe, u shpreh pas ndeshjes se “gjysma e kuqe e qytetit do të jetë gëzuar nga ky gol”.

Shirer, që sot nuk luan më, arriti në 260 gola në 14 vjet, ndërsa kuotën 200 e arriti në vetëm 10 vjet, ndaj 18 të Runit. Sot, ka vetëm pak lojtarë që mund t’i bëjnë shoqëri dyshes Shirer-Runi. Xhermen Defo ka 158 gola në Premier dhe vazhdon të luajë aty me Bornemuthin, Sergio Aguero ka 123 gola, ndërsa Piter Krauç ka 100. Ndër më të rinjtë, potencialisht mund të arrijë tek 200-ta Harri Kejn (78 gola, 24 vjeç) dhe Romelu Lukaku (88 gola, 24 vjeç).

Gjithsesi, Premier mbetet prapa ligave të tjera europiane, ku Gerd Myleri ka rekordin e Bundesligës me 365 gola, Lionel Mesi atë të La Ligës me 349 (do vazhdojë ta rrisë), Delio Olnis të Ligës së Parë të Francës me 299 gola dhe Silvio Piola, rekordin e Serisë A me 274. Megjithatë, nëse merr gjithë historinë e kampionatit anglez, Xhimi Griv ka 357 gola.

Sfidanti.al