Rrogë 35 milionë apo klauzolë 200 milionë, ku është e ardhmja e Mbapesë?!

Mançester Siti, sipas mediave në Angli, nuk do të hyjë në garë për të, por mjaftojnë ata që janë deri tani. Kilian Mbape i ka bërë të qartë Paris SG se cili është kushti i tij për të rinovuar dhe ky ka të bëjë me paratë. Raportohet se 21-vjeçari kërkon të njëjtën rrogë si Nejmari, 35 milionë euro në sezon, madje këtë pagesë do ta kërkojë edhe nga Reali nëse do të vendosë të mos vazhdojë në Francë.

Nuk është e qartë nëse drejtuesit parizienë janë dakord me një rrogë të tillë, duke pasur parasysh edhe rregullat e Lojës së Ndershme Financiare, pasi do të thoshte që vetëm 2 lojtarë do të fitonin 70 milionë euro në sezon. Për çdo rast, ata kanë gati klauzolën prej 200 milionë eurosh për Mbapenë, dhe kandidati i vetëm që duket për shërbimet e tij është Reali i Madridit. Presidenti Florentino Perez dëshiron një goditje tjetër “galaktike” të nivelit të Kristiano Ronaldos, ndërsa ka disa vjet që pret. Sidoqoftë, ka edhe një konkurrent që të gjithë e përfshijnë në garë edhe pse nuk të jep shumë besim, Liverpuli.

Sfidanti.al