E duam dhunën në futboll apo nuk kemi ku ta çojmë? Sa herë që topi nuk mjafton për të zgjidhur problemet e një loje për të cilën thonë se ndihmon harmoninë , futbolli trukohet në boks dhe kokat e futbollistëve shndërrohen në ..dardhë boksi, ajo që goditet pa mëshirë! Dhe dhuna jonë ,edhe pse ka dhuruar pamje të frikshme, skena me gjak të vërtetë e jo si nëpër filma, është “ menaxhuar për mrekulli”. Akoma nuk ka të vdekur, por vetëm të plagosur. Si herën e fundit, një skenë që nuk shqitet kollaj, koka e gjakosur e trajnerit Bekim Kuli në ndeshjen Bylisi me Laçin, një kokë që nga Komisioni i Disiplinës, me ato denime që sajoi , gati sa s’thuhet se nuk ishte kokë me vlerë..si ato të zyrtarëve të FSHF-së !
Dhe, na pëlqen apo s’na pëlqen, kultura e dhunës po rrënjoset me marifet, po përcillet ndër breza si një zakon i të parëve, tamam si ajo shprehja “bëmë baba të të ngjaj “. Kështu, ajo që ka ndodhur pak ditë më parë , në ndeshjen e 17 vjeçarëve të Egnatias dhe Bylisit brënda dhe jashtë fushe , mund të konsiderohet si një “Vaterlo futbolli”. Ndaj, 7 kartona të kuq gjatë lojës duken si 7 karamele , në krahasim me skenën e dhunshme masive që krijuan futbollistët e të dy ekipeve. Janë vetëm 17 vjeç dhe kur luftonin ndaj njëri- tjetrit dukeshin sikur ishin të ..futbollit superior! Një futboll që në librin e tij e ka të shkruar me gërma të mëdha: fiton më i forti, dhe jo më i zoti në lojë!
Sfidanti.al