Do të duhet të kthehemi prapa 60 vjet në kohë për të gjetur në Serinë A, një të ngjashëm me Kristiano Ronaldon e tanishëm. Me 10 gola e 6 asistë në 14 ndeshje, portugezi mund të krahasohet vetëm me “gjigandin e mirë” nga Uellsi, Xhon Çarls. Nuk prishi punë që rrjeta ndaj Fiorentinës ishte me penallti dhe kur gjithçka kishte përfunduar e Juvja kryesonte 2-0 në “Artemio Franki”. Goli, gjithnjë është gol, edhe kur e shënon në mënyrë të magjishme si Mesi në Ajndhoven, edhe kur e bën nga 11 metra larg si Ronaldo.
Gjithsesi, një kënaqësi (nëse mund ta quajmë kështu) e pati edhe gjyqtari Orsato, i cili pati rast të nxirrte karton të verdhë ndaj atij që quhet “jashtëtokësori” apo “alieni”. Kjo, me të drejtë, pasi CR7-ta shfreu gjithë dufin pasi shënoi, duke e goditur topin me forcë lart drejt qiellit. Më në fund, ndodhi edhe diçka për herë të parë në kampionat për Kristianon, pasi trajneri Alegri e zëvendësoi pas 1250 minutash radhazi në Serinë A.
Sfidanti.al