Ronaldo barazon Mesin, edhe ai e fitoi Superkupën me Juven!

Dueli me rivalin e përjetshëm nuk mund të përfundojë për sa kohë të jetë në fushë. Kristiano Ronaldo, padyshim e pati në mendje Lionel Mesin, ndërsa doli në tapetin e stadiumit të Xhedës në Arabinë Saudite, për të luajtur finalen e Superkupës ndaj Milanit.

Ambicia e jashtëzakonshme, ndoshta më e madhja që ka parë ndonjëherë futbolli, e bëri që të dilte fitues (bashkë me skuadrën, natyrisht), si edhe të shënonte golin e fitores. Një harkim i Miralem Pjaniçit, në minutën e 61-të, u shfrytëzua nga CR7-ta që mposhti Donarumën me një gjuajtje me kokë.

Kjo bëri që Kristiano të barazohej me Mesin për trofetë e sezonit, nga një secili, madje që të dy kanë fituar Superkupën. Argjentinasi ia doli me Barcelonën, veçse pa shënuar në finale.

Nuk ishte aspak e lehtë, madje edhe kur Milani mbeti me 10 vetë në 74’, me daljen me të kuqe të Kesit. U duk sikur në inferioritet ishte Juventusi, pasi skuadra e Gatuzos luftoi fort deri në fund. Kutrone pati mundësi të shënonte që kur ndeshja ishte 0-0, duke goditur shtyllën, ndërsa një përpjekje tjetër e tij u ndalua nga pozicioni jashtë loje.

Kjo ishte superkupa e 8-të për Juven, duke vendosur një rekord të ri, pasi rekordin e mëparshëm, me 7 trofe, e mbante bashkë me Milanin. Interi është më prapa me 5 Superkupa. Ky ishte suksesi i parë pas dy humbjeve radhazi ndaj Lacios (2-3) vjet dhe kundër Napolit (me penallti), madje në 5 sezonet e fundit, bardhezinjtë janë mundur tri herë në finale.

Sfidanti.al