Diego Pablo Simeone u mund sipas mënyrës që ai pëlqen të fitojë. Girona, rivali vërtet modest, shkaktoi të papriturën më të madhe në Kupën e Mbretit në Spanjë, duke eleminuar Atletikon, madje brenda në Madrid. Mjaftoi një rotacion normal i trajnerit argjentinas që miqtë të arrinin një kualifikim të madh, me barazimin 3-3 në stadiumin “Uanda Metropolitano”, dhe me rezultatin e përgjithshëm 4-4.
“Ndonjëherë ndodh që të luash mirë dhe të mos fitosh, – u shpreh Simeone pas ndeshjes, – unë, për vete, preferoj të luaj keq, por të fitoj gjithnjë. Sidoqoftë, dua të përgëzoj Gironën për ndeshjen e madhe të zhvilluar”. Antuan Grizman ishte në stol, por hyri në fushë gjatë lojës, kur Valeri Fernandez e Kristian Stuani përmbysën golin e kroatit Kaliniç. Korrea dhe Grizman i dhanë epërsinë 3-2 Atletikos në 84’, dhe u mendua se synimi u arrit, por nuk qe e thënë. Në 88’, Borha Garsia barazoi për miqtë.
Gjithsesi, Atletiko nuk ishte skuadra e vetme e kryeqytetit që zhgënjeu në Kupë. Jo më pak i shqetësoi edhe Reali tifozët e tij, pavarësisht se u kualifikua. Nuk është gjë e mirë për madrilenët të humbasin 0-1 në fushën e Leganjesit tepër modest, aq më tepër në një sezon kur kanë pësuar humbje dërrmuese si ndaj CSKA-së së Moskës, Seviljes, Eibarit dhe Barcelonës. “Madridi kalon”, ishte titulli domethënës i gazetës “Marka”.
Sfidanti.al