Marash Kumbulla do të shkojë me “ngritje” sezonin e ardhshëm. Mbrojtësi i kombëtares shqiptare do të luajë në Ligën e Europës në vend të Ligës së Konferencës ku ka qenë këtë vit. Roma e siguroi biletën e rëndësishme me fitoren 3-0 në fushën e Torinos. Kumbulla ishte titullar këtë herë dhe me gjasë do të jetë në stol në finalen e Tiranës ndaj Fejënordit këtë të mërkurë në “Arenën Air Albania”. Shqiptari ishte një nga lojtarët më të mirë në fushë me notën 6.3, i lënë pas vetëm nga shokët e ekipit Abraham, Veretut dhe Pelegrini.
Tami Abraham shënoi dy gola (njërin me penallti) dhe Lorenco Pelegrini realizoi një tjetër 11-metërsh për suksesin jo edhe aq të lehtë në stadiumin e “granatëve”. Kjo bëri që “bijtë e ujkonjës” të sigurojnë garën e dytë europiane, ku do të jenë bashkë me Lacion, ndërsa Atalanta dhe Fiorentina do të luftojnë për një vend në Ligën e Konferencës. Ekipi i Murinjos ka 63 pikë, po aq sa Lacio që luan këtë të shtunë ndaj Veronës në “Olimpiko”, ndërsa bergamaskët dhe “vjollcët” nuk e mbërrijnë dot duke pasur 59.
Sfidanti.al