Nuk janë më, një çift i lumtur. Interesi i ka dhënë fund dashurisë së rreme, dhe Kristiano Ronaldo nuk pritet të ketë një tjetër ceremoni rinovimi, në krah të presidentit Florentino Perez. Reali i Madridit nuk do të pranojë pretendimet e superyllit të vet për një rrogë të barabartë me Lionel Mesin. Vendimin e presidentit Florentino Perez e japin mediat europiane, që nga Anglia, Spanja e deri në Portugali, ku gazeta “Rekord” është e bindur se e ardhmja e CR7-ës është larg Madridit.
Ronaldo nuk ka gjetur kurrë qetësi në “Santiago Bernabeu”, pavarësisht sukseseve të mëdha sportive, kolektive dhe individuale, pasi ai gjithnjë ka qenë në një garë të jashtëzakonshme me Lionel Mesin, për nivelin e të rrogës. Superlojtari i Barcelonës merr sot gati 40 milionë euro në sezon, ndërsa Ronaldo për momentin duhet të kënaqet me 25 milionë. Portugezi është edhe prapa Nejmarit që fiton rreth 37 milionë euro në sezon.
Kristiano nuk është dakord me këtë hierarki e cila sipas tij nuk reflekton statusin e tij si fitues i disa Topave të Artë radhazi, dhe të Çmimit të Lojtarit më të mirë të vitit nga FIFA. Ai e quan veten si protagonistin kryesor të fitoreve të Realit, përfshi 3 Champions radhazi, titullin kampion sezonin e kaluar, si dhe dy Kupa të Botës për klubet dhe dy Superkupa të Europës.
Ai me shumë gjasa e kishte pritur vendimin e klubit, ndaj edhe bëri presion menjëherë pas fitores së Ligës së Kampionëve. Me largimin nga Madridi thuajse të sigurt, ku pritet të jetë e ardhmja e tij? Me shumë gjasa, ose tek Paris SG, ose kthim tek Mançester Junajtidi ku tifozët vazhdojnë ta adhurojnë si dikur.
Sfidanti.al