Interi ka ëndrra të mëdha për të thënë fjalën “skudeto”

Titulli i fundit ka mbetur në vitin 2010, sezoni i fundit i Murinjos, dhe klubi zikaltër, ashtu si tifozët, e dinë se 8 vjet pa të janë shumë. Gjithsesi, që Interi të thotë fjalën “kampion” duhet të forcojë shumë skuadrën, e cila këtë sezon mezi mbërriti deri te kualifikimi për në Champions, edhe ky në javën e fundit. Trajneri Luçiano Spaleti ka kërkesat e veta, dhe presidenti Suning, plus drejtori sportiv Auzilio shpresojnë që t’ia plotësojnë.

Ëndrra është për një treshe lojtarësh, Kiezën e Fiorentinës, Dembelenë e Totenhemit dhe Naingolanin e Romës. Nëse do të realizohej e plotë, atëherë me shumë gjasa, do të kishim vërtet një Inter për kampion. Sidoqoftë, së pari duhet të sigurohen 45 milionë euro fitime (pra nga transferime lojtarësh) deri në 30 qershor për të qenë në rregull me UEFA-n, dhe pastaj duhet tejkaluar konkurrenca dhe vështirësi të tjera.

Kiezën e kërkojnë Juventusi e Napoli, që japin 50 milionë euro plus dy lojtarë. Interi shpreson tek babai i tij, Enriko Kieza, që gjykon se zikaltërit do të ishin opcioni më i mirë. Nuk dihet sa do të kërkojë Totenhemi për Dembelenë (dhe nëse do të pranojë), ndërsa po ashtu nuk dihet nëse Roma do të mendojë ta largojë Naingolanin. Sidoqoftë, Interi ka bërë dy blerje me kosto zero, De Vraj e Asamoah, dhe kjo nuk është pak.

Sfidanti.al