“Rokada e yjeve”, Durant afron Golden Stejtin me titullin

Lebron Xhejms e dinte se kjo do të ishte sprova më e vështirë e karrierës së tij. Superylli i Klivlendit e kishte të qartë se kurrë nuk ishte ndeshur në finalet e NBA-së me një kundërshtar më të fortë se ky Golden Stejt Uorriors, dhe kurrë nuk kishte pasur një skuadër të vetën më të dobët se kaq. Parandjenjat e tij të këqija tani po vërtetohen pasi Golden Stejti ka marrë epërsinë 3-0 me fitore në fazën finale, duke qenë vetëm një fitore larg titullit.

Nëse në ndeshjen numër 2 ishte Stefën Kërri që u tregua i shkëlqyer me 33 pikë e 9 kosha tripikësh, këtë herë kalifornianët patën një “rokadë”, pasi ishte radha e Kevin Durantit. Talenti i madh, i ardhur dy vjet më parë nga Oklahoma, u shfaq atëherë kur duhej, në ndeshjen më të vështirë, atë që u luajt në fushën e Klivlendit. Shënoi 43 pikë, kapi 13 topa në tabela, shërbeu 7 asistë dhe vodhi një top.

Lebron këtë herë pranoi të ishte i dyti, me 33 pikë, 10 topa në tabela e 11 asistë, si dhe me 2 vjedhje topi e 2 bllokime gjuajtjesh. Kevin Lov (20 pikë), Smith (13), Hud (15) apo Tompson (8) u përpoqën ta ndihmonin, por Golden Stejti ishte tepër lart. Kërri vërtet shënoi vetëm 11 pikë, por nga 10 kishin Grin, Mekgi, Tompson e Bell, dhe nga 8 patën Iguodala i rikthyer dhe Livingston.

Tashmë, pritet që Lebron të ndërrojë skuadër gjatë verës, pasi në moshën 33-vjeçare nuk ka shumë kohë për të synuar titullin e katërt kampion në karrierë. Golden Stejti, ndërkaq, po ndërton një dinasti pasi po fiton titullin e dytë radhazi dhe të tretin në 4 vjet.

Sfidanti.al