Reali fiton El Klasikon, fiton besimin dhe kreun e La Ligës!

“Parisi e vlen një meshë”, thoshtë dikur një mbret i Francës, e sot ndoshta mund të thuhet se një fitore e tillë në “El Klasiko” ia vlente 3 vjet pritje. Çdo seri e ka një fund, ashtu siç edhe pritja shpërblehet dikur, dhe për Realin shpërblimi erdhi këtë mbrëmje të 1 marsit në “Santiago Bernabeu”, kur fitoi pastër dhe meritueshëm 2-0 ndaj Barcelonës.

Nuk ishte ndeshja më e mirë e Madridit, as më e keqja e katalanasve, por ishte një duel i tillë ku kuptohej se Barça po përpiqej të kontrollonte një ekip më energjik, edhe pse ndoshta jo aq “të latuar” sa ajo vetë. Zotërimi i topit, eleganca dhe saktësia në “thurjen e pëlhurës së merimangës”, si dhe rastet e humbur nga Grizman, Mesi, Artur apo Brethuejt treguan se skuadrës së trajnerit Kike Setien i mungonte ai shpirti i dikurshëm, i mungonte rinia dhe freskia, pra energjia për të luftuar deri në fund.

Kur moti nisi të përkeqësohej dhe “Bernabeu” të rrihej nga reshjet e shiut, sa më shumë kalonin minutat, aq më të dobët fizikisht bëheshin lojtarët “blaugrana”, dhe aq më shumë duele fitonte Reali. Më në fund, fitoi shpejtësia dhe rinia, pasi Vinisiusi, sado i papërqëndruar dhe me gabime, do ta shfrytëzonte një nga sprintet e tij të rrufeshëm. Po kështu, Kros, Benzema apo Valverde kishin aq forcë sa për të luajtur 90 minuta, gjë që nuk e patën as Mesi, as Grizman, as Buskets dhe as Artur. Sidoqoftë, mediat madrilene dhe katalanase veçuan Marselon, si të papriturën e Zidanit, dhe që luajti shumë mirë.

Golat u shënuan nga Vinisiut në 71’ dhe Marselo Dias në 91’, me Realin që kaloi në krye të La Ligës me 1 pikë më shumë sesa Barcelona, por që bëhen 2, duke pasur edhe bilancin pozitiv me rivalin për titull.

Sfidanti.al