Atalanta është një spektakël, 7 gola por titulli duket i tepërt!

Nuk bëhet fjalë për këtë sezon, pasi diferenca me kreun është tepër e madhe. Atalanta është 14 pikë larg vendit të parë në Serinë A, veçse skuadra e trajnerit Gasperini është më e mira për diçka tjetër, pikërisht për numrin e golave të shënuar. Me 7 që realizoi në portën e Leçes, madje brenda në stadiumin “Via del Mare”, ekipi bergamask mbërriti në kuotën 70 të sezonit, e kjo në 25 ndeshje të Serisë A deri tani. Mesatarja është thuajse 3 për ndeshje, diçka që të kujton Barcelonën e mëparshme apo Mançester Sitin e Guardiolës, edhe më mirë sesa Lacio e shkëlqyer e Simone Inzagit.

“Kaq shumë gola të shënuar janë një motiv krenarie, – shprehet Gasperini, – këto rezultate na japin forcë dhe duam që të kemi sukses edhe në Champions. Gjithsesi, titulli është tepër për ne. Kemi aftësinë për të rihapur ndeshje që duken të mbyllura, por edhe të reagojmë fort. Jemi gati të luajmë edhe këtë të hënë, nëse dëshirojnë”. Për Atalantën, në Leçe, erdhi fillimisht autogoli i Donatit, pastaj golat e Zapatës, Iliçiçit, Zapatës sërish madje dy herë të tjera radhazi, Murielit dhe Malinovskit. Puljezët arritën të barazonin përkohësisht në 2-2 me rrjetat e Saponarës dhe Donatit (në portën e duhur). Atalanta ka 48 pikë, ndaj 54 të Interit të vendit të tretë, por që ka një ndeshje më pak të zhvilluar.

Sfidanti.al