Reali, 47 ndeshje radhazi që shënon, por Bajerni është larg

Nuk ishte gjë e vogël të kalohej rekordi i Barcelonës me ndeshjet radhazi ku shënohej të paktën një gol. Nga 44 në 45, dhe tani në 47 takime të tilla për Realin e Madridit. Skuadra e Zidanit është në formë të madhe, të paktën përsa i përket sulmit, ku nuk shënojnë vetëm Ronaldo, Bejl apo Benzema, por sidomos Sergio Ramos. Me rrjetat në Napoli, u barazua një tjetër klub i madh i historisë, pikërisht Benfika e Lisbonës e epokës së Euzebios. “Shqiponjat” portugeze ia kishin dalë për 47 herë radhazi, në 406 ditë, nga 8 dhjetori 1963 deri në 10 janar 1965.

Gjithsesi, edhe nëse e kalon Benfikën, gjë që mund të ngjasë në fundjavë, sërish Reali do të jetë larg rekordit absolut të paktën në Europë. Në krye, ende me diferencë të madhe mbetet Bajerni i Mynihut, i drejtuar nga trajneri i famshëm, Jup Hajnkes, në sezonin e madh 2012-2013. Atë sezon kur u fitua gjithçka (Champions, Bundesligë, Kupë Gjermanie, Superkupë Europe, Kupë Bote për Klubet), bavarezët arritën në 63 ndeshje radhazi duke tundur rrjetën kundërshtare.

Sfidanti.al