Luis Enrike beson tek 6 golat, por të dëgjojmë ç’thotë Emeri!

Është shumë i çliruar Luis Enrike pas deklarimit se do të largohet në fund të sezonit (“E thashë më në fund”, ishte batuta tek Pallati 176), dhe kjo duket edhe tek deklaratat me ballë të hapur që lëshon këto ditë. E fundit ishte një ditë para sfidës së sotme ndaj Paris SG në Champions, ku u shpreh se “nëse ata janë në gjendje të na shënojnë 4 gola, ne jemi në gjendje të shënojmë gjashtë”. Ndryshimi është se PSG tashmë i ka shënuar ata gola, ndërsa Barça është te koha e ardhme “do të”.

Për Luis Enriken dhe yjet e tij, përballë është edhe një “ekuacion” i vështirë për t’u zgjidhur, ai që quhet Unai Emeri. Trajneri bask i parizienëve, jo vetëm që e njeh shumë mirë Barcelonën që nga koha kur drejtonte Seviljen (deri vjet), por njeh shumë mirë edhe kupat kontinentale, pasi jo më kot ka fituar dy herë radhazi Ligën e Europës. Le ta ndjekim se çfarë thotë ai.

“Kur të dalim në fushë, – thotë ai, – duhet ta heqim nga mendja rezultatin 4-0 në favorin tonë. Duhet të luajmë sikur jemi 0-0 dhe sikur na duhet me patjetër që të fitojmë. Është një ndeshje shumë e rëndësishme dhe duhet të jemi të bashkuar. Besimi që kam tek ekipi im është po ai që kisha para ndeshjes së parë, po ashtu është edhe respekti për Barcelonën. Duhet të tregojmë personalitet”.

PSG nuk do të ketë Tiago Motën, ndërsa Di Maria e Rabio nuk janë në qind për qind, dhe Unai Emeri theksoi se në fushë do të jenë vetëm lojtarët në formë maksimale.

Sfidanti.al