Erik Kantona, ish-“Mbreti” i Mançester Junajtidit, nuk ka lënë gjë pa thënë për futbollistët e Leiçester Sitit, pak ditë pas shkarkimit të Klaudio Ranierit. Ylli i madh francez, që ndihmoi “djajtë e kuq” të dilnin kampionë pas 24 vjetësh, e njeh mirë se çdo të thotë sukses dhe madhështi, dhe mendimet e tij janë të gjitha për ish-trajnerin italian. “Magjistari erdhi në një qytet dhe shndërroi një grup lojtarësh gjysmë të talentuar në yje futbolli, në kampionë të lavdishëm, – tha Kantona, – por, sapo retë e para u shfaqën, këta mosmirënjohës bënë përbetim për ta larguar magjistarin. Këta janë tradhëtarë”.
Ish-sulmuesi i madh francez nuk mund ta largojë nga mendja se “Leiçesteri shkarkoi të vetmin trajner që fitoi diçka të rëndësishme në historinë e vet aspak të shquar”. “Ata e larguan Klaudion sikur të ishte një qen me sëmundje ngjitësem, – vazhdoi ai me shumë ashpërsi, – Leisteri është në vendet e fundit të Premier Ligës, aty ku i takon të jetë, aty ku i përket sipas ADN-së së tyre. Ju synoni madhështinë, por ju e flakët lavdinë jashtë nga dera juaj, dhe gjithçka që ju mbeti është një trajner me emrin Shekspir”.
Sfidanti.al