Çështja Nejmar përfundoi, por ajo që kaloi për pak ditë në plan të dytë, është ende e pazgjidhur. Cili do të jetë fati i Kilian Mbapesë, sulmuesit tjetër më të kërkuar në botë? Reali i Madridit ka arritur një akord në parim me Monakon, sipas mediave, veçse Barcelona ka në dorë tani 222 milionë euro, dhe zgjidhja ende duket larg. Sipas gazetës “Marka”, trajneri Zidan ka vënë një kusht, përtej marrëveshjes mes klubeve mbi bazën e 180 milionë eurove.
Francezi shqetësohet jo vetëm për bilancin ekonomik, për të cilin më shumë mendon presidenti Perez, por sidomos për ekuilibrat në skuadër. Fjala e tij për Perezin është që duhet të largohet Garet Bejl, që të vijë Mbape. Jo se Bejl është një lojtar i keq, përkundrazi, por “shumë gjela në një kafaz” i bëjnë keq çdo ambient. Zidan po mendonte t’i jepte prioritet Iskos ndaj uellsianit, ndërsa gjendja do të bëhej edhe më e rëndë me ardhjen e Mbapesë. Besohet se vendimi i trajnerit është më i miri për të, për Realin dhe për vetë Bejlin, të cilin Zhoze Murinjo e pret me krahë hapur tek Mançester Junajtid.
Sfidanti.al