Hasi, Agolli e Cikalleshi mësojnë rivalët, ja sfidat për të hyrë në Champions!

Pritja mori fund dhe tani fillojnë llogaritë. Trajneri Besnik Hasi dhe futbollisti Ansi Agolli mësuan kundërshtarët në plej ofin e Ligës së Kampionëve, pas shortit që u hodh në Nion të Zvicrës.

Hasi, trajner i Olimpiakosit të Pireut, do të ketë përballë kampionen e Kroacisë, Rijekën, ndërsa Agolli, që luan me Karabakun e Azerbajxhanit, do të ndeshet me kampionen e Danimarkës, FC Kopenhagen. Të dy kundërshtarët janë të fortë, por sidomos më të vështirë do ta ketë kapiteni i kombëtares, Agolli, pasi Kopenhageni është një skuadër që ka arritur 7 herë në fazën e grupeve të Championsit.

Një short edhe më të fortë pati lojtari tjetër i kombëtares, Sokol Cikalleshi. Skuadra e tij, Bashaksehir Spor nga Turqia, do të përballet me ekipin e shquar spanjoll, Seviljen. Ndër çiftet e tjerë, më shumë bien në sy përballjet mes Napolit të Italisë dhe Nisës së Francës, dhe mes Hofenhajmit të Gjermanisë dhe Liverpulit të Anglisë. Ndeshjet e plej ofit të Ligës së Kampionëve do të luhen në datat 15 e 16 gusht, si dhe në 22 e 23 gusht.

Shorti i plotë

Karabak-Kopenhagen

APOEL-Sllavia Pragë

Olimpiakos-Rijeka

Sëlltik-Astana

Hapoel Ber Sheva-Maribor

Bashaksehirspor-Sevilja

Jang Bojs-CSKA Moskë

Napoli-Nisë

Hofenhajm-Liverpul

Sporting-Steaua Bukuresht

Ndeshjet luhen në datat 15-16 gusht, dhe në 22-23 gusht.