Premier Ligë, lëri qarjet, ul rrogat dhe dhuroi 100 milionë popullit tënd!

Kjo është thirrja që një gazetar i njohur si Oliver Holti, i bëri drejtuesve të elitës së futbollit anglez. Edhe pse paguhet në një tabloid të theksuar “djathtas”, sërish ftesa e Holtit ishte e hapur dhe për të mirën e përbashkët, siç i takon më shpesh të majtëve që ta bëjnë. “Na thonë se drejtuesit e Premier Ligës janë duke u ndjerë keq, ngaqë po duken si fëmijë të llastuar, – shkruajti ai në faqet e “Deili Meilit”, – kanë të drejtë që të ndihen ashtu. Së pari duhet të heqin dorë nga këmbëngulja për t’u kthyer në fushë në 30 prill, ndërsa atdheu është “në pranga”, vetë ky mendim është ofendues. Së dyti, duhet të vendosin një “tavan” për rrogat, dhe të japin 100 milionë paundë stërlina për vendin e tyre, ato para që u japin agjentëve të futbollistëve, pra të bëjnë diçka të mirë për Anglinë”. Edhe pse Premier Liga pritet të humbasë qindra milionë paundë stërlina, sërish ajo është liga më e pasur në botë, me një pasuri që është vendosur për dekada të tëra, dhe që nuk mund të shterojë nga një krizë disa mujore koronavirusi.

Sfidanti.al