Po tani që “pikon” edhe “shtëpia” e Tifozave Kuq e Zi?!

Ka një thënie në Shqipëri që njeriu nuk shqetësohet kur pikon shtëpia e komshiut, por kur fillon të pikojë shtëpia e tij, atëherë ai e kupton hallin që ka kaluar tjetri. Një situatë e ngjashme edhe për Tifozat Kuq e Zi, vetëm pak muaj më parë spektatorë të përjashtimit arrogant që FSHF u bëri “Plisave” nga Kosova, një tjetër tifogrup po aq i zjarrtë dhe besnik i Kombëtares. Pronarët e Kombëtares që në këtë rast kanë një president me emër dhe mbiemër, i përjashtuan pa të drejtë apeli çunat e shkëlqyer të Prishtinës, pavarëësisht sakrificave që ata bënin për fanellën kuqezi pa kërkuar asgjë në këmbim, thjesht një grusht biletash të cilat FSHF ua hoqi nga duart për t’ua dhënë miqve dhe servilëve të institucionit.

Në atë rast, “Plisat” e ngritën zërin por që nuk u bë mjaftueshëm i fortë pasi tifogrupi “rival” Tifozat Kuq e Zi nuk e pa rë arsyeshme t’i mbështeste, pa e ditur që do të vinte një ditë që ky hall do të ishte edhe i tyre. Ja ku jemi dhe Tifozat Kuq e Zi mbeten në rrugë për një tekë të presidentit teë FSHF-së, pavarësisht se ishin zëri i vetëm kumbues i mbetur në shurdhërinë e stadiumit “Air Albania” të tejmbushur me “kollare” qokash. Sot përjashtimi i këtij tifogrupi është një çudi që do të zgjasë vetëm tre ditë sepse askush nuk do të bërtasë për ta ashtu siç ata nuk bërtitën për “Plisat”.

Nga Pirro Bardhyli