Ishte një rast për të treguar veten, ndonëse më parë shanse të tilla ishin humbur. Gjithsesi, kur flasim për Serinë A, Milani shfaqet serioz në momentet kyçe e ndonëse këtë vit nuk fitoi titullin siç bëri vjet, arriti një objektiv tepër të rëndësishëm. Me fitoren 1-0 në fushën e Juventusit u sigurua kualifikimi për në Champions sezonin e ardhshëm, që përkthehet në dhjetëra milionë euro të ardhura, dhe në mundësi për të mbajtur yjet. Mjaftoi një gol i të zakonshmit Olivie Zhiru për të mundur një Juve të lodhur, në një nga sfidat tipike të fundit të sezonit. Pas eliminimit të hidhur e bindës në Ligën e Kampionëve nga Interi, ish-kampionët e Italisë kanë tani një motiv për t’u krenuar, në një sezon të vështirë.
“Ishte një rast i madh për të treguar se kush jemi dhe sesa të mirë jemi, – tha Pioli, – Milani është një skuadër e fortë dhe e tregon veten në sfida të caktuara, edhe pse nuk jemi plotësisht të kënaqur. Kemi bërë një Champions të jashtëzakonshëm, kuptohet me zhgënjimin e madh që u eliminuam në gjysmëfinale. Në kampionat kemi qenë të mjaftueshëm, por duke qenë të ngarkuar kemi lënë diçka rrugës”.
Sfidanti.al