Nuk është Pero Pejiç i disa viteve më parë kur fliste më pak dhe shënonte më shumë gola. Edhe mosha bën të vetën dhe Pero, sado i talentuar, nuk mund të bëjë përjashtim nga rregulli i pashkruar se mbi të 30-tat, sportisti ndryshon raportin e fjalëve me veprat. Edhe tek Kukësi, është në vitrinë dhe nuk humbet rast pa iu përgjigjur kritikëve që thumbojne se “ Superliga me ngathtësinë e saj është vendi i bekur për veteranin kroat”. Kudo, ka shkuar me valixhen me gola dhe asnjë president nuk është qarë për paratë e shkuara dëm.
Edhe tek Kukësi, flet me gjuhën e portës dhe të ..shifrave: 8 gola në 10 ndeshje. Një ritem krenarie për një kampionat modest, i cili vuan për talentin sulmues. Por, Pejiç e shoqëron golin me fjalë, sidomos në vitet e fundit, premton pa frikë edhe ky “luk” duket si një modë e re për të. “ Dua të shënoj 30 gola në këtë kampionat” – ka thënë sulmuesi, i nxitur edhe nga fati që i dhuroi mundësinë të gjuajë dy penallti për 60 sekonda, ku njërën e çoi dëm.