Dosti kap me kopje futbollistët e Vllaznisë! Misteri i një letre nga stoli..

Ka ndodhur në Kukës dhe veprimi i çuditshëm ka mbërritur në Amerikë. Një gazetar i njohur i sportit, Adriatik Dosti, një penë e spikatur për stilin sulmues, ka parë ndeshjen Kukësi me Vllazninë dhe e ka befasuar momenti kur një futbollist, pikërisht Cinari, ka marrë një letër nga stoli dhe ia ka dhënë Shtubinës, kapitenit të ekipit. Ky  e lexon, tund kokën dhe fillon lojën. Sipas këtij stili, duket se nxënësit e Vllaznisë kanë nevojë për kopje, por Dosti mendon se ishte një gjest i dënueshëm nga arbitri:

“Me rregullore quhet një gabim teknik. Letrat dorëzohen vetëm në raste publike kur janë për t’u gjuajtur penalltitë dhe jo në mes të lojës, ku mund të konsiderohen si objekt i jashtëm që nxit një prapaskenë, si për shembull “ lëreni lojën” apo “ hapeni portën” e tjera aludime si këto.

Dosti kundërshton në këtë detaj edhe gjykimin e ish-arbitrit të FIFA-s, Bujar Pregja, njeriun e maviolës, që pretendon se ky veprim është normal dhe nuk meriton të dënohet. Ajo që bën përshtypje është se nuk kemi parë letërkëmbim nga stoli në ndeshjet e tjera, edhe përtej Superligës.