Bota e futbollit shqetësohet gjithnjë e më shumë, sa më tepër kalojnë vitet e Lionel Mesit. Superylli argjentinas një ditë do ta lerë sportin, por tifozët le të jenë të qetë. Vetë Mesi ishte dëshmitar i pasardhësit të tij të projektuar, sipas parimit “një bie, një ngrihet”. Ky trashëgimtar është pikërisht Paulo Dibala, njeriu që guxoi “të ngrinte dorë” ndaj Mesit dhe shokëve të tij dhe t’i jepte fitoren Juventusit.
I kërkuar nga Barcelona dhe Reali, Dibala për momentin mjaftohet me kënaqësinë që u jep tifozëve juventinë, madje menjëherë pas fitores u shpreh se “rinovimi është më pranë”. “Dibala është futbolli”, tha për të presidenti eksentrik i Palermos, Zamparini, ndërsa mori 40 milionë euro për kartonin e Dibalës 21-vjeçar në 2015. Ishte pikërisht vera pas humbjes me Barcelonën në finalen e Championsit, dhe klubi torinez po mendonte ta ngrinte skuadrën në një nivel të ri.
I mbiquajtur “La Hoja” (Joya) dhe “El Pibe de la Pension”, sulmuesi 23-vjeçar i ka të gjitha karakteristikat për të pasur epokën e tij, ashtu si Maradona apo Mesi patën të vetën. Djali me origjinë të largët polake, spanjolle, por edhe italiane, ka një fizik më të mirë sesa dy yjet e mëdhenj të dikurshëm të Argjentinës. Ai është 1.77 metra shtatlartë, ndërsa teknika e tij individuale është pa asnjë të metë. Nuk dihet sesa do të kërkojë Juventusi për ta lënë të largohet, por besohet se shifra do të jetë më e lartë sesa rekordi botëror i Pol Pogbasë, për të cilin Mançester Junajtid pagoi 110 milionë euro.
Sfidanti.al